
Dinamikat në spektaklin Ferma VIP po bëhen gjithnjë e më interesante, sidomos pas përplasjes së fundit mes dy këngëtareve të njohura, Soni Malaj dhe Jonida Maliqi.
Pas një atmosfere të ftohtë gjatë mbrëmjes së kaluar, ka qenë Ilir Shaqiri ai që vendosi të ndërhyjë, duke e pyetur drejtpërdrejt Sonin për marrëdhënien e saj me Jonidën. Teksa bisedonin në ambientet e fermës, ai i kërkoi të ishte e sinqertë dhe të sqaronte nëse kishte ndonjë tension mes tyre.
“Çfarë mendon për Jonidën? Nuk e kuptoj këtë fërkim mes jush,” u shpreh Iliri, duke vënë në pikëpyetje qetësinë e situatës.
Nga ana e saj, Soni Malaj mohoi kategorikisht çdo konflikt, duke theksuar se nuk ka asnjë problem me kolegen. Ajo madje u shpreh se ishte e lumtur që Jonida u bë pjesë e formatit.
“Unë s’kam asnjë lloj fërkimi, hiç. Përkundrazi, kur mora vesh që do ishte pjesë e spektaklit, u gëzova sepse do kisha një person të njohur pranë,” tha ajo.
Pavarësisht deklaratës së saj të qartë, Iliri duket se mbetet skeptik, duke lënë të hapur mundësinë që tensionet mes dy artisteve të shfaqen sërish në ditët në vijim.
Publiku tashmë është në pritje për të parë nëse kjo marrëdhënie do të mbetet e qetë apo do të shpërthejë në një përballje të re brenda fermës.