
Donald Trump ka paralajmëruar sërish Iran, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin armë edhe më të fuqishme nëse bisedimet e pritshme nuk japin rezultat.
Deklarata e fortë vjen në prag të negociatave që pritet të zhvillohen në Pakistan, të cilat konsiderohen vendimtare për uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Në një intervistë telefonike për New York Post, Trump u shpreh se situata do të bëhet më e qartë brenda një kohe të shkurtër. “Do ta zbulojmë brenda rreth 24 orësh. Do ta dimë shumë shpejt nëse bisedimet do të kenë sukses”, tha ai.
Trump shtoi se ushtria amerikane po përgatitet për çdo skenar, duke theksuar se anijet luftarake janë duke u pajisur me municion shumë të avancuar. “Po bëjmë një rivendosje. Po i ngarkojmë anijet me municionin më të mirë, armët më të mira të ndërtuara ndonjëherë – madje edhe më të mira se ato që kemi përdorur më parë”, deklaroi ai, duke dërguar një mesazh të qartë paralajmërues drejt Teheranit.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do të shmangte përshkallëzimin e konfliktit.