
Shqipëria mbi mesataren e BE-së për përdorimin e energjisë së rinovueshme
Shqipëria po e tejkalon mesataren e Bashkimit Europian në përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra dhe të rinovueshme, ndërsa mesatarja e BE-së është vetëm 25.2%.
Në krye të renditjes së vendeve europiane qëndrojnë shtetet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda (47%), Letonia (45%), Danimarka (44%) dhe Estonia (43%). Në fund të listës janë disa vende të Europës Perëndimore, ku Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta (14%), Belgjika (14.5%), Luksemburgu (15%) dhe Holanda (16%).
Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon dukshëm. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, me vende si Austria dhe Suedia që afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur kryesisht te hidrocentralet dhe energjia e erës.
Objektivi i Bashkimit Europian për vitin 2030 është ambicioz: 42.5% e energjisë totale duhet të vijë nga burime të rinovueshme. Arritja e këtij qëllimi kërkon investime të mëdha, sidomos në sektorët e transportit dhe ngrohjes.
Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet e përparimit mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore të bollshme, por sfida e radhës mbetet diversifikimi i energjisë dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile.