
E reja nga Suedia denoncon përdhunim në Tiranë – Arrestohen tre shtetas turq, detaje nga apartamenti me qira
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, ku një 31-vjeçare nga Suedia ka denoncuar se është dhunuar seksualisht në një apartament me qira pranë zonës së Zogut të Zi.
Sipas burimeve policore, tre shtetas nga Turqia janë vënë në pranga nga Komisariati nr. 2, pas kallëzimit të bërë nga e reja me iniciale V.E. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 shkurtit.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe 29-vjeçari Ferhatcan Cicek, nga Stamboll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Pas denoncimit, e reja është dërguar për ekzaminim në Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku sipas burimeve janë konstatuar shenja dhe dëmtime që përputhen me ushtrimin e dhunës seksuale.
Gjatë kontrollit në banesën me qira, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike, e dyshuar kanabis. Për këtë arsye, ndaj 29-vjeçarit rëndon edhe akuza për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Po ashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, përkatësisht 28 dhe 31 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë të pranishëm në apartament në momentin e ngjarjes. Nga hetimet paraprake rezulton se ata kanë poseduar dhe konsumuar një pjesë të drogës së gjetur dhe akuzohen për “moskallëzim krimi” si edhe vepra penale në lidhje me narkotikët.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.