
Një debat që nisi si diskutim politik për Gjykatën Speciale përfundoi në skena të paprecedenta tensioni në studion e emisionit Opinion, ku u regjistruan ofendime të rënda dhe një tentativë për përplasje fizike mes gazetarit Berat Buzhala dhe shkrimtarit Albatros Rexhaj.
Situata doli jashtë kontrollit pasi Rexhaj akuzoi publikisht Buzhalën se kishte mbështetur në të kaluarën krijimin e Dhomave të Specializuara, duke theksuar se përmes amendamenteve i ishte dhënë gjykatës e drejta të interpretojë vetë Kushtetutën.
Kjo deklaratë ndezi menjëherë reagimin e ashpër të Buzhalës, i cili iu drejtua Rexhajt me tone fyese, duke i kërkuar të heshtë dhe duke e akuzuar se kishte ardhur në studio vetëm për të sabotuar debatin.
Përplasja verbale u përshkallëzua shpejt, kur Rexhaj iu përgjigj se askush nuk është “pronar i debatit”, çka solli shpërthimin e Buzhalës me fjalë banale dhe lëvizje drejt Rexhajt, duke krijuar frikë për një konflikt fizik në transmetim live.
Në atë moment, moderatori Blendi Fevziu dhe një nga të ftuarit ndërhynë menjëherë për të ndalur situatën dhe për të shmangur përplasjen direkte mes dy protagonistëve.
Pamjet nga studio tregojnë një klimë të rënduar dhe të tensionuar, ndërsa Buzhala iu drejtua Fevziut me akuza se i ishte sjellë “zhurmues” në emision.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale, ku publiku është ndarë mes kritikave për gjuhën e përdorur dhe shqetësimit për degradimin e debatit publik në media.