
“Ferma VIP 3”: Reagimi i Akil Varfit pas eliminimit
Eliminimi i Akil Varfi nga Ferma VIP 3 vijon të mbetet një nga momentet më të diskutuara të sezonit.
Aktori u largua nga gara më 7 prill, pas një televotimi të fortë ku përballej me Indritin, Gresën dhe Fairfax-in. Momenti u tensionua kur Indriti u shpall i pari i shpëtuar nga publiku, çka solli reagimin e menjëhershëm të Akilit, i cili la të kuptohej se ishte gati të pranonte eliminimin pa e zgjatur më tej qëndrimin në lojë.
Pavarësisht ndërhyrjeve për ta bindur të vazhdonte garën, ai vendosi të qëndrojë deri në fund të sfidës. Madje në një prej lojërave ai sakrifikoi në favor të Gresës, por në fund ishte vota e publikut ajo që vulosi largimin e tij.
Pas daljes, vetëm pak orë para Prime-it të radhës, Akili reagoi në rrjetet sociale duke ngritur dyshime për mënyrën e eliminimit. Në një postim të shkurtër ai shkroi: “Meqë krejt populli e ka kuptu padrejtësinë, s’po flas hiç”, duke lënë të kuptohet se ndihet i trajtuar padrejtësisht gjatë eksperiencës së tij në fermë.
