
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në bashkinë e Maliqit, ku mësuesi me përvojë Alban Bejleri ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak, teksa po kthehej për në shtëpi pas përfundimit të detyrës së tij.
Bejleri, i cili kishte rreth 30 vite eksperiencë në arsim, prej pesë vitesh jepte mësim në fshatin e thellë Marjan. Çdo ditë ai përshkonte në këmbë rreth 7 deri në 8 kilometra për të arritur në shkollë, ku zhvillonte procesin mësimor për vetëm dy nxënës.
Sipas familjarëve, ai ishte një mësues i përkushtuar që nuk ankohej për vështirësitë, pavarësisht sfidave të përditshme. Udhëtimi i tij përfshinte mbërritjen fillimisht në zonën e Lozhanit dhe më pas ecjen në këmbë drejt shkollës në Marjan.
Kolegët e kujtojnë si një shembull përkushtimi dhe sakrifice, ndërsa familjarët kanë reaguar me dhimbje dhe indinjatë, duke ngritur shqetësime për kushtet e vështira të punës dhe mungesën e infrastrukturës.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta dhe thirrje për më shumë përgjegjësi nga institucionet, në mënyrë që raste të tilla tragjike të mos përsëriten në të ardhmen.