
“E JOSHËN SI NË FILMA DHE E ZHDUKËN PA GJURMË” – Zbardhet krimi makabër në Spanjë, si u tradhtua 31-vjeçari shqiptar nga ‘miqtë’ e tij
Një histori që duket si skenar filmi kriminal, por që në realitet përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme. Vrasja e 31-vjeçarit shqiptar në Spanjë ka tronditur opinionin publik, ndërsa detaje të reja nga mediat iberike zbulojnë një plan të ftohtë dhe të mirëorganizuar për eliminimin e tij.
I riu, i cili jetonte një jetë luksoze në zonën e Benahavís në Málaga, u zhduk pa lënë gjurmë pas një takimi që do të ishte i fundit për të. Sipas hetimeve, ai u kontaktua nga persona që i konsideronte “miq”, të cilët e ftuan për një takim, me pretekstin e një marrëveshjeje të rëndësishme. Por ajo që dukej si një mundësi biznesi, rezultoi të ishte një kurth vdekjeprurës.
Takimi fatal u zhvillua në zonën Puerto de la Torre në Málaga. Kamerat dhe provat e mbledhura nga policia tregojnë se 31-vjeçari mbërriti në vendin e caktuar dhe hipi në një automjet ku ndodheshin dy persona të tjerë. Nga ai moment, ai nuk u pa më kurrë i gjallë.
Hetuesit dyshojnë se ai u dërgua në një zonë të izoluar malore pranë rezervuarit Casasola në Almogía, ku edhe u ekzekutua në mënyrë brutale. Trupi i tij u lidh me tela dhe kabuj, u fut në një thes bashkë me blloqe betoni dhe u hodh në ujë, me qëllimin që të zhdukej përgjithmonë pa lënë gjurmë.
Por plani i autorëve nuk shkoi siç ishte menduar. Pas muajsh të tërë, rënia e nivelit të ujit në rezervuar bëri që thesin e dyshimtë ta dallonte një kalimtar më 14 tetor. Brenda tij u zbulua trupi në gjendje të avancuar dekompozimi, duke nxjerrë në dritë një nga krimet më të rënda të kohëve të fundit në zonë.
Identifikimi i viktimës u bë falë analizave të ADN-së, ndërsa hetimi mori një kthesë vendimtare. Gjurmët çuan tek një automjet i marrë me qira në Barcelonë nga një grua spanjolle 58-vjeçare, e cila dyshohet se ka luajtur rolin e bashkëpunëtores në krim.
Nga aty, policia arriti të identifikojë edhe autorët e dyshuar: dy shtetas shqiptarë, të moshës 36 dhe 45 vjeç, të cilët besohet se janë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal. Ata kishin udhëtuar drejt Málaga‑s me një plan të qartë për eliminimin e viktimës.
Të tre personat u arrestuan në provincën e Barcelonës dhe janë lënë në paraburgim, të akuzuar për vrasje dhe përfshirje në organizatë kriminale. Hetimet kanë zbuluar se motivi kryesor i krimit lidhet me larjen e hesapeve mes grupeve rivale në trafikun ndërkombëtar të drogës, ku kontrolli i territorit dhe pazaret e dështuara shpesh përfundojnë në mënyrë të përgjakshme.
Sikur të mos mjaftonte kjo, autoritetet kanë bërë të ditur se familja e viktimës është kërcënuar nga persona të lidhur me grupin kriminal, me qëllim që të ndalonin kërkimet dhe të mos bashkëpunonin me drejtësinë.
Një ngjarje që hedh dritë mbi botën e errët të krimit të organizuar, ku besimi tradhtohet dhe jeta e njeriut vlen më pak se një marrëveshje e prishur. Hetimet vijojnë, ndërsa priten detaje të tjera që mund të zbulojnë edhe më shumë mbi këtë skemë të frikshme që përfundoi me një jetë të humbur.