
Në festën e organizuar nga Top Channel pas përfundimit të “Big Brother VIP 5”, drejtuesja e projektit Sara Hoxha mbajti një fjalim falënderues për gjithë ekipin që punoi gjatë sezonit, duke veçuar bashkëpunëtorët dhe opinionistët për kontributin e tyre.
Por momenti që tërhoqi më shumë vëmendje ishte kur ajo u ndal te moderatori i spektaklit, Ledion Liço.
“Dua të falënderoj Ledionin, i cili i jep shkëlqim këtij formati dhe realisht është fituesi i çdo sezoni të Big Brother-it. Kam mësuar shumë prej teje, mësoj çdo ditë prej teje dhe jam shumë mirënjohëse që këtë rrugëtim e ndajmë bashkë,” u shpreh Sara.
Këto fjalë u interpretuan gjerësisht në rrjet si një deklaratë e veçantë dhe me nënkuptime, sidomos duke marrë parasysh aludimet e vazhdueshme për raportin mes saj dhe Ledionit, i cili prej kohësh ka qenë temë diskutimi në publik.
Marrëdhënia e tyre mbetet e paqartë publikisht, pasi nuk ka pasur as konfirmim dhe as mohim për zërat që qarkullojnë për një distancim të mundshëm mes tyre.
Gjatë finales së këtij sezoni të “Big Brother VIP”, Ledion Liço u surprizua me një video-mesazh nga familja e tij, moment që e emocionoi dukshëm. Ai falënderoi publikisht edhe Sara Hoxha, duke u shprehur mes emocionesh dhe reflektimi për rrugëtimin e tij si moderator i formatit.
Deklaratat e dyfishta në të njëjtën natë kanë shtuar edhe më shumë kuriozitetin e publikut mbi raportin e tyre dhe dinamikën brenda produksionit të “Big Brother VIP”.