
KRIM në Memaliaj/ Si u ekzekutua 30-vjeçari pranë lokalit – autori në arrati, vëllai i tij lufton për jetën me 4 plumba
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Memaliajt, ku një konflikt i hershëm mes dy personave ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke lënë pas një viktimë dhe dy të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, 29-vjeçari Donaldo Nela dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj 30-vjeçarit Endri Goxhaj, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Të shtënat kanë ndodhur pranë një lokali në qendër të qytetit, duke shkaktuar panik te qytetarët e pranishëm.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe vëllai i autorit, 25-vjeçari Dario Nela. Ai ka marrë katër plumba në trup – dy në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë – dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Gjirokastrës.
Menjëherë pas krimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur, ndërsa forcat e policisë kanë ngritur postblloqe dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale që ka tronditur komunitetin lokal.