
Zbulohet kënga e re e Gjestit, rikthehet “fuqishëm” me Gimbon në krah
Gjesti duket se nuk ka ndërmend të ndalet dhe këtë e ka treguar qartë me lëvizjen e tij më të fundit në rrjetet sociale.
Këngëtari i njohur ka publikuar një “dump” me 17 fotografi, duke u dhënë fansave një vështrim ekskluziv nga prapaskenat e procesit të tij krijues dhe projekteve të reja muzikore.
Këtë herë, ai ka zgjedhur të largohet nga studiot e zakonshme të qytetit dhe të izolohet në një vilë luksoze mes natyrës, ku po punon intensivisht për këngët e tij të reja.
Në fotot e publikuara bie në sy atmosfera e relaksuar, stili i veçantë i artistit dhe detaje që tërheqin vëmendjen, nga veshjet “Supreme” deri te momentet spontane gjatë qëndrimit të tij.
Megjithatë, ajo që ka ngjallur më shumë interes është një imazh i fshehur mes postimeve, ku shihet një skedar audio me emrin “FUQISHEM-demo1”.
Ky detaj duket se konfirmon titullin e projektit të tij më të ri muzikor, i cili pritet të publikohet së shpejti.
Në studio me Gjestin është parë edhe Gimbo, duke lënë të kuptohet se dyshja po bashkëpunon sërish për një këngë që pritet të jetë një tjetër hit.
Tashmë fansat presin vetëm një njoftim zyrtar për datën e publikimit të këngës së re.