
Bilanc tragjik në 48 orë: 5 të vdekur dhe disa të plagosur në aksidente rrugore
Një fundjavë e zezë është regjistruar në rrugët e vendit, ku 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda rrugore, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Mes viktimave janë edhe babë e bijë, Anton Keçi, 54 vjeç, mjek, dhe vajza e tij Bora Keçi, 19 vjeçe, studente e mjekësisë, të cilët u gjetën të pajetë pasi automjeti i tyre doli nga rruga dhe ra në një kanal pranë fshatit Gocaj në Lezhë. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e pasdites, ndërsa ata po ktheheshin nga puna e tyre me kohë të pjesshme në Kampin e Refugjatëve në Gjadër.
Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në aksin Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Labinot, ku një 45-vjeçar humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi jashtë rruge, duke humbur jetën në vend. Bashkëshortja e tij, e cila udhëtonte me të, mbeti e plagosur.
Po ashtu, të premten u shënuan edhe dy viktima të tjera në aksidente të ndara: një 28-vjeçar në aksin Elbasan–Cërrik dhe një pasagjere në aksin Fushë Krujë–Milot, ku përplasjet e forta rezultuan fatale.
Policia rrugore ka bërë apel për kujdes maksimal në qarkullim, respektim të rregullave të shpejtësisë dhe shmangie të sjelljeve të rrezikshme në timon, duke theksuar se shpejtësia mbetet shkaku kryesor i shumicës së aksidenteve.