
Aksident i rëndë në aksin Elbasan–Librazhd, humb jetën shtetasi kinez, 4 të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Librazhd, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka humbur jetën një shtetas kinez, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktima është drejtuesi i një prej automjeteve, shtetasi kinez me iniciale T. H., i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja e fortë.
Në aksident është përfshirë edhe një tjetër automjet, i drejtuar nga shtetasi V. M., i cili ka mbetur i dëmtuar së bashku me tre pasagjerë që ndodheshin në dy mjetet. Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Forcat e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen fatale.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë detaje të tjera në vijim.