
Mjekësia shqiptare në zi – Ndërron jetë ish-drejtuesi i Poliklinikës nr.8 në Tiranë, Neritan Këlliçi
Mjekësia shqiptare ka humbur një nga figurat e saj, pasi është ndarë nga jeta mjeku Neritan Këlliçi, ish-drejtues i Poliklinikës nr.8 në Tiranë. Lajmi i trishtë ka shkaktuar reagime të shumta dhe dhimbje te kolegët, miqtë dhe të afërmit e tij.
Njoftimi për ndarjen nga jeta të Këlliçit është bërë publik nga miku i tij, mjeku Avi Dibra, i cili i ka dhënë lamtumirën në rrjetet sociale, duke shprehur trishtimin për humbjen e parakohshme.
Ceremonia mortore e të ndjerit do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home Alba”, në Rrugën e Durrësit, ndërsa varrimi është planifikuar të mbahet sot në orën 15:00, në varrezat e Tufinës.
Neritan Këlliçi ka përfunduar studimet në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë dhe ka ushtruar për vite me radhë profesionin e mjekut në kryeqytet, duke lënë pas një karrierë të gjatë në shërbim të pacientëve.
Ikja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin mjekësor dhe ka prekur thellë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.