
Zbulohen autorët e dyshuar të vrasjes së çiftit Mujeci në Balldren të Lezhës, shpallen në kërkim tre persona
Policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona të dyshuar si autorë të atentatit ndaj çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, të cilët humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri në Balldren.
Sipas hetimeve, të dyshuarit janë shtetasit A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. Autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tyre, ndërsa janë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente të ndryshme, por pa rezultat deri tani.
Nga dinamika e ngjarjes rezulton se viktimat po udhëtonin me automjet kur janë vëzhguar nga një tjetër makinë tip “Audi A4”. Më pas, një automjet tjetër “Volkswagen” pa targa u ka prerë rrugën dhe nga brenda tij është qëlluar me breshëri armësh drejt makinës së çiftit.
Hetimet paraprake dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, ndërsa Prokuroria dhe Policia po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rastit, identifikimin e provave dhe sekuestrimin e armëve të përdorura në krim.
Në operacionin për kapjen e autorëve janë angazhuar edhe forcat speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Policisë së Lezhës.
Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët, duke kërkuar denoncimin e çdo informacioni që mund të ndihmojë në lokalizimin e të dyshuarve.