
Derbi mes KF Tirana dhe FK Partizani Tirana dhuroi emocione të forta, duke u kthyer në një përballje spektakolare pavarësisht se të dyja skuadrat ndodhen larg objektivave të sezonit.
Ndeshja u vendos nga një moment magjik i Freddy Alvarez, i cili realizoi një gol fenomenal nga goditja e dënimit, duke i dhënë fitoren bardhebluve dhe duke “çmendur” tifozët në tribunë.
Por jo vetëm kaq. Pas përfundimit të sfidës, mesfushori ofensiv tërhoqi vëmendjen me një gjest surprizë jashtë fushës.
Në emisionin “Procesi Sportiv”, u publikuan pamjet ku Alvarez i dhuron fanellën e tij ish-banores së Big Brother VIP Albania, Armela Hyseni.
Interesant është fakti se Armela njihet si një tifoze e zjarrtë e Partizanit, rivalit të përjetshëm të Tiranës.
Ky moment ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, duke e kthyer në një nga episodet më të komentuar të këtij derbi.