
Tina Pajollari, e përfshirë në dosjen e bujshme të vrasjes së Martin Çeços në Maliq, ka folur për herë të parë pas daljes nga burgu, duke hedhur poshtë akuzat dhe duke pretenduar se ka qenë nën presion gjatë hetimeve.
Në një intervistë televizive, ajo ka deklaruar se nuk e ka njohur kurrë viktimën dhe se emrin e tij e ka dëgjuar për herë të parë në komisariat. Sipas saj, gjatë marrjes në pyetje nga policia, është ushtruar presion që ajo të pranonte një version të caktuar të ngjarjes.
“Thanë që ose prano ose do kalbesh në burg,” është shprehur ajo, duke shtuar se ka qenë vetëm 18 vjeç në momentin e ngjarjeve dhe e frikësuar nga situata.
Pajollari pretendon gjithashtu se është mbajtur për ditë të tëra në ambiente të ndryshme, përfshirë edhe një hotel pranë komisariatit, ku sipas saj ka pasur mbikëqyrje të vazhdueshme nga policia.
Ajo mohon çdo komunikim apo lidhje me viktimën dhe personat e tjerë të përfshirë në dosje, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe të ndërtuara mbi dëshmi të detyruara.
Çështja e vrasjes së Martin Çeços, i cili u gjet i pajetë në një rezervuar në qershor të vitit 2022, mbetet ende një nga dosjet më të debatueshme në drejtësinë shqiptare, pasi vendimet gjyqësore kanë kaluar disa faza apelimi dhe ndryshimesh.