
Kanë kaluar 16 vite nga një prej momenteve më të forta të përplasjes politike në Shqipëri, greva e urisë e organizuar nga Partia Socialiste në bulevardin kryesor të Tiranës, e cila nisi më 30 prill 2010 dhe zgjati deri më 19 maj të po atij viti.
Në atë kohë, opozita e drejtuar nga Edi Rama kishte në qendër të kauzës transparencën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe kërkonte hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, maxhoranca e drejtuar nga Sali Berisha e kundërshtoi ashpër këtë kërkesë, duke e cilësuar si një precedent të rrezikshëm dhe sfidë ndaj institucioneve.
Në 16-vjetorin e kësaj ngjarjeje, Taulant Balla ka ndarë një foto nga ajo periudhë, ku shfaqet në “çadrën” e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar këtë protestë si një nga aksionet më të forta opozitare të socialistëve.
Përmes mesazhit të tij, Balla thekson se kjo lëvizje ishte pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, duke e lidhur atë edhe me objektivin aktual të Partisë Socialiste për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, kontributi i socialistëve ka qenë i vazhdueshëm si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje, në funksion të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.