
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të enjte lirimin nga paraburgimi të biznesmenit Ervis Lami, i cili është një nga të pandehurit në dosjen e SPAK për abuzimet e dyshuara me tenderat e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), gjatë kohës kur drejtohej nga Evis Berberi.
Sipas vendimit të shpallur në Tiranë më 30 prill 2026, trupa gjykuese e Apelit, e përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, ka pranuar kërkesën e ankimit të Lamit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë. Gjykata ka vendosur revokimin e masës së mëparshme dhe urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të tij, me kusht që të mos ketë ndonjë pengesë tjetër ligjore.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzon Ervis Lamin si pronar fiktiv të kompanisë “DAAM SHPK”, e cila dyshohet se përfitonte tendera të paracaktuar nga ARRSH gjatë drejtimit të Evis Berberit. Sipas hetimeve, kjo kompani ka marrë pjesë në një skemë të dyshuar korruptive në bashkëpunim me kompani të tjera private dhe zyrtarë publikë.
SPAK kishte kërkuar për Lamën një dënim prej 4 vitesh shërbim prove, pasi ai kishte vendosur të bashkëpunonte me drejtësinë dhe kishte dhënë dëshmi për hetimet.
Në të njëjtën dosje janë arrestuar edhe biznesmenë të tjerë, përfshirë Valter Begajn, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes tenderave publikë.
Vendimi i Apelit të GJKKO mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.