
“Po cenohet dinjiteti”/ Familjarët reagojnë ashpër për trajtimin e Mimoza Ahmetit në Ferma VIP
Familjarët e poetes së njohur Mimoza Ahmeti kanë reaguar publikisht lidhur me mënyrën se si ajo po trajtohet brenda spektaklit televiziv “Ferma VIP”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ata shprehin shqetësimin e tyre për gjuhën fyese dhe sjelljet që, sipas tyre, cenojnë dinjitetin e saj si artiste, si grua dhe si nënë. Sipas familjarëve, disa deklarata të bëra nga konkurrentët kanë kaluar çdo kufi etik dhe janë përhapur me shpejtësi edhe në rrjetet sociale, duke rënduar më tej situatën.
Ata theksojnë gjithashtu se produksioni i programit nuk ka ndërhyrë në kohë për të ndalur këto situata, duke lejuar që tensionet dhe komunikimi denigrues të vazhdojnë gjatë transmetimeve. Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e barazisë në trajtim, ku sipas tyre, poetja shpesh nuk ka pasur hapësirën e duhur për të shprehur qëndrimet e saj.
Në përfundim të reagimit, familjarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur gjuhën fyese dhe për të garantuar një trajtim më të drejtë dhe dinjitoz për të gjithë pjesëmarrësit e formatit.
