
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave për informacion dhe interpelancave parlamentare, duke akuzuar institucionet për mungesë respekti ndaj Parlamentit.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Braçe tha se disa institucione dhe ministra shmangin përgjegjësitë, ndërsa tregoi edhe një rast konkret ku, sipas tij, një ministër i ka kthyer përgjigje me fjalët: “Nuk dua të bëj interpelancë me ty”.
“E kuptoj që edhe në zyra shteti ka njerëz që nuk duan ta bëjnë punën, por të kenë këtë mungesë respekti për Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që është e tepërt”, u shpreh ai.
Deputeti sqaroi se i ishte drejtuar Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë për një çështje konkrete, por kishte marrë dy përgjigje të ndryshme. Sipas tij, agjencia i kishte kthyer përgjigje se nuk ishte kompetencë e saj, ndërsa ministri përgjegjës kishte refuzuar interpelancën me argumentin se çështja nuk ishte në juridiksionin e tij.
Erion Braçe theksoi se, pavarësisht qëndrimeve të ministrave apo institucioneve, ai do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij si deputet.
“E kuptoj që ka njerëz në qeveri që s’duan ta bëjnë punën e tyre, unë jam këtu për të bërë punën time. Nëse kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesave s’u përgjigjet askush, më mirë na thoni mos të bëjmë kërkesë për marrje informacioni dhe interpelanca”, deklaroi Braçe.