
Kuvendi “natë pa gjumë”, Rama shkon pas mesnate vetëm për votimet – miratohen akciza, shtetësia dhe identiteti digjital
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë maratonë që zgjati rreth 14 orë dhe u mbyll pas mesnate, ndërsa kryeministri Edi Rama u paraqit vetëm në fund për procesin e votimit të projektligjeve.
Gjatë ditës, opozita kërkoi interpelanca me kreun e qeverisë, por Rama ia delegoi përgjigjet ministrave, duke argumentuar se çështjet e ngritura nuk ishin përgjegjësi direkte e tij.
Një nga debatet kryesore ishte akti normativ për akcizën e naftës, i cili u miratua me 85 vota pro dhe 25 kundër. Projektligji parashikon ndërhyrje në skemën e akcizës kur çmimi i karburantit kalon mbi 220 lekë për litër.
Ndërkohë, opozita dhe Partia Demokratike kërkuan uljen e taksës së qarkullimit, reduktimin e akcizës së naftës dhe zerimin e akcizës së gazit për industritë prodhuese “Made in Albania”, por propozimet u rrëzuan nga shumica socialiste.
Mes projektligjeve të miratuara ishin edhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë, ligji për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital, si dhe disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare dhe inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu, Kuvendi miratoi disa emërime të rëndësishme institucionale:
Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner pranë Zyrës së Avokatit të Popullit për mekanizmin kundër torturës.
Alma Faskaj u zgjodh Sekretare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Genta Tafa mori detyrën e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Merita Bejtja u votua si Inspektore e Përgjithshme e Banka e Shqipërisë.
Matilda Shehu u zgjodh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Punimet e seancës plenare u mbyllën rreth orës 00:35 pas një dite me debate të forta politike dhe votime të shumta në Kuvend.