
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj Italisë, duke deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë të balancuara dhe se, sipas tij, Roma zyrtare nuk ka qenë në krah të Shteteve të Bashkuara në momente të rëndësishme.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Trump është shprehur se Italia “nuk ishte aty kur SHBA kishte nevojë”, ndërsa ka theksuar se Amerika, sipas tij, ka qenë gjithmonë një aleat i qëndrueshëm për Italinë.
“Ne gjithmonë kemi qenë aty për Italinë, por nuk mund të them të njëjtën gjë për ta,” është shprehur ai, duke përsëritur qëndrimin e tij kritik.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur në Romë ndodhej edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, çka i ka dhënë edhe më shumë vëmendje politike kësaj çështjeje.
I pyetur për bashkëpunimin ushtarak dhe mundësinë e mbështetjes italiane në operacione të ardhshme, Trump ka ripërsëritur qëndrimin e tij: “Italia nuk ishte aty kur ne kishim nevojë.”
Deklaratat e tij pritet të nxisin reagime në qarqet diplomatike, duke hapur sërish debat mbi marrëdhëniet SHBA–Itali dhe balancën e aleancave brenda NATO‑s.