
Helmimi i 56 studentëve, AKU bllokon mensën e Akademisë së Sigurisë: Analizat zbulojnë shkelje të rënda higjienike
Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Akademia e Sigurisë, pasi 56 studentë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në mensën e institucionit. Pas kontrolleve dhe analizave të kryera, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur bllokimin e menjëhershëm të mensës, duke konstatuar kushte jashtë standardeve higjieno-sanitare.
Sipas burimeve, ushqimi për studentët furnizohej me katering nga kompania Sori Al, ndërsa shpërndarja dhe konsumimi kryhej në ambientet e mensës së Akademisë. Pikërisht aty, gjatë inspektimeve të AKU-së, janë evidentuar problematika serioze që lidhen me higjienën dhe sigurinë ushqimore.
Pas rezultateve të analizave, autoritetet kanë vendosur shiritin bllokues në mensë, duke ndaluar funksionimin e saj deri në një njoftim të dytë. Dyshohet se kushtet e papërshtatshme në ambientet ku shërbehej ushqimi mund të kenë ndikuar në helmimin masiv të studentëve.
Ndërkohë, për shkak të mbylljes së mensës, kursantët e Akademisë së Sigurisë pritet të nxirren për praktikë jashtë institucionit, pasi aktualisht mungojnë kushtet për ushqimin e tyre brenda kampusit.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të forta mbi kontrollin e sigurisë ushqimore në institucionet publike dhe mënyrën se si monitorohen kompanitë që furnizojnë me ushqim strukturat shtetërore.