
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përshëndetur miratimin me konsensus në Kuvend të Rezolutës për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një hap të vonuar në raport me vetë ecurinë e procesit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meta u shpreh se vonesa nuk lidhet vetëm me rezolutën, por edhe me vetë rrugëtimin e integrimit të vendit, i cili sipas tij ka qenë më i ngadaltë se sa duhet.
Ai theksoi se Partia e Lirisë ka lindur si domosdoshmëri për të zhbllokuar procesin e integrimit në të kaluarën dhe kujtoi periudhën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit pas rotacionit politik të vitit 2005.
Meta shtoi se në atë kohë Shqipëria ndodhej më përpara se disa vende të rajonit, ndërsa sot, sipas tij, situata është e kundërt dhe vendi ka mbetur pas në procesin e integrimit europian.
Ai bëri thirrje për reflektim të thellë politik, duke kërkuar që Parlamenti të rikthehet në funksionin e tij si institucion bazë i demokracisë dhe llogaridhënies.
Sipas Metës, Shqipëria nuk ka pengesa reale për anëtarësim në BE përveç mungesës së vullnetit politik për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, përfshirë zgjedhjet e lira, shtetin e së drejtës dhe barazinë para ligjit.