
Donald Trump njoftoi se forcat amerikane dhe ato nigeriane kanë eliminuar Abu-Bilal al-Minuki, i cilësuar si numri dy i ISIS-it në rang global, gjatë një operacioni të përbashkët në Afrikë.
Sipas Trump, misioni u realizua nga forcat speciale amerikane në bashkëpunim me ushtrinë e Nigerisë, pas një operacioni të gjatë inteligjence që gjurmoi lëvizjet e liderit terrorist.
“Sonte, me urdhrin tim, forcat amerikane dhe Forcat e Armatosura të Nigerisë ekzekutuan me sukses një mision shumë kompleks për të eliminuar terroristin më aktiv në botë”, shkroi Trump në Truth Social.
Ai shtoi se Abu-Bilal al-Minuki fshihej në Afrikë dhe dyshohet se ndihmonte në planifikimin e sulmeve terroriste kundër amerikanëve dhe vendeve afrikane.
Trump falënderoi gjithashtu qeverinë nigeriane për bashkëpunimin në operacion, duke theksuar se eliminimi i tij dobëson ndjeshëm aktivitetin global të ISIS-it.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi operacionin nga Shtëpia e Bardhë apo CENTCOM.
Ky zhvillim vjen pasi SHBA ka shtuar muajt e fundit operacionet kundër ISIS-it në Siri, ku sipas CENTCOM janë goditur dhjetëra objektiva dhe janë vrarë apo arrestuar shumë terroristë.
