
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike këtë të martë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Gjatë incidenteve, i plagosur mbeti deputeti demokrat Bledion Nallbati, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Sipas burimeve nga protesta, Nallbati është goditur pas koke me shkop gome nga efektivë të FNSH-së, ndërsa ndaj tij është përdorur edhe spraj neutralizues. Deputeti u shoqërua menjëherë drejt spitalit nga kolegët Gazment Bardhi dhe Albana Vokshi.
Deputetja Albana Vokshi dha detaje për gjendjen e tij shëndetësore, duke deklaruar se Nallbati u godit teksa po përpiqej të ndihmonte një qytetar gjatë kaosit të krijuar.
> “Ka një dëmtim në kokë. Ishte duke ndihmuar një qytetar kur policia e ka goditur. Aktualisht po merr trajtim mjekësor, po i bëhet pastrimi i syve dhe fytyrës për shkak të djegies nga spraji, si dhe po kryen ekzaminime të specializuara”, u shpreh Vokshi.
Mjekët kanë nisur procedurat diagnostikuese, përfshirë skanerin, për të vlerësuar gjendjen e deputetit, i cili raportohet në gjendje të rënduar.
Pas përfundimit të protestës, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbërriti me urgjencë në Spitalin e Traumës për t’u informuar personalisht mbi gjendjen shëndetësore të Nallbatit.
Ngjarja ka shtuar edhe më tej tensionet politike, ndërsa opozita akuzon policinë për përdorim disproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe përfaqësuesve të saj.