
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Helsingborg në Suedi, ku një 20-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa një e re që e shoqëronte ka mbetur e plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit në një parking automjetesh, ku i riu ndodhej së bashku me vajzën. Në rrethana ende të paqarta, persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj tyre, duke i lënë të dy të plagosur rëndë.
20-vjeçari ka ndërruar jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra, ndërsa vajza që e shoqëronte ka arritur të mbijetojë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Raportohet se gjendja e saj është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia suedeze ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ka shoqëruar një person të dyshuar në lidhje me atentatin. Deri më tani, motivet e sulmit mbeten të panjohura.
Viktima është identifikuar me inicialet M.Ll., me origjinë nga Fieri i Shqipërisë, i cili jetonte prej disa vitesh në Suedi së bashku me familjen e tij.
Autoritetet po vijojnë punën intensive për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje tragjike.