
Eurostat: Popullsia e BE-së pritet të ulet me rreth 53 milionë deri në fund të shekullit
Sipas vlerësimeve të fundit nga Eurostat, popullsia totale e Bashkimit Evropian (BE) pritet të bjerë me 11.7% deri në vitin 2100.
Zyra statistikore e BE-së ka publikuar projeksione demografike të bazuara në të dhënat aktuale, sipas të cilave popullsia e bllokut do të ulet me rreth 53 milionë banorë, duke arritur në 398.8 milionë deri në fund të shekullit.
Parashikimet tregojnë se popullsia e BE-së, e vlerësuar në 451.8 milionë në vitin 2025, pritet të arrijë kulmin në 453.3 milionë në vitin 2029, përpara se të nisë një rënie afatgjatë deri në vitin 2100.
Eurostat parashikon gjithashtu ndryshime të theksuara në strukturën e popullsisë. Përqindja e fëmijëve dhe të rinjve (0–19 vjeç) pritet të bjerë nga 20% në 17%, ndërsa grupmosha 20–64 vjeç nga 58% në 50%.
Në të kundërt, popullsia e moshuar pritet të rritet ndjeshëm. Grupi 65–79 vjeç parashikohet të rritet nga 16% në 17%, ndërsa personat mbi 80 vjeç nga 6% në 16%.