
Hapen kamerat e sigurisë dhe zbulohet dinamika e ngjarjes së rëndë që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, pranë QSUT në Tiranë, ku zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe alarm të madh tek banorët.
Sipas pamjeve të kamerave të bizneseve përreth, disa të mitur shfaqen duke qëndruar për disa minuta pas një marketi në zonë. Në video, dy prej tyre shihen duke hedhur një objekt të dyshuar si letër mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë ambienteve të marketit, përpara se të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Pak minuta më vonë, në të njëjtin vend fillon të shfaqet tym, i cili përhapet me shpejtësi dhe shndërrohet në flakë të fuqishme, duke përfshirë fasadën e pallatit dhe duke shkaktuar panik në zonë. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha rrethanat, ndërsa dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga pakujdesia dhe materialet e ndezshme të pranishme në vend.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar katër persona, mes tyre administratorin e kompleksit, një inxhinier, administratorin e firmës së fasadës dhe menaxheren e marketit, të cilët akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe shkelje të tjera ligjore. Ndërkohë, nën hetim janë vendosur edhe pronari i kompleksit, një i kontraktuar për ndërtimin si dhe dy punonjëse të marketit, ndërsa vijojnë verifikimet për përcaktimin e përgjegjësive konkrete të secilit prej tyre.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me pakujdesi apo faktorë të tjerë që çuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit.