
Mateo reagon pas “Big Brother VIP 5”: “Do jemi bashkë shumë shpejt” – mesazh për fansat dhe falënderim publik
Pas përfundimit të spektaklit “Big Brother VIP 5”, finalisti Mateo Borri ka bërë reagimin e tij të parë publik në rrjetet sociale, duke sqaruar mungesën e tij dhe duke falënderuar të gjithë mbështetësit.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Mateo u shpreh se nuk ka qenë aktiv menjëherë pas daljes nga shtëpia për shkak të disa problemeve me telefonin, por edhe sepse ka zgjedhur të kalojë kohë me familjen.
“E di që të gjithë po mendonit pse nuk kam bërë asnjë postim, por sapo dola pata probleme me telefonin dhe më pas vendosa të qëndroj pak me familjen. Nuk kam parë as 5% të gjithë asaj që keni bërë për mua”, u shpreh ai.
Mateo falënderoi publikun për mbështetjen e madhe gjatë rrugëtimit të tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke theksuar se nuk ishte i vetëdijshëm për gjithë dashurinë që kishte marrë gjatë kohës që ishte brenda.
Ai përmendi mbështetës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, diaspora dhe më gjerë, duke i cilësuar si një forcë të madhe që e ka shoqëruar gjatë gjithë eksperiencës së tij.
Në fund të mesazhit, Mateo dha edhe një premtim për ndjekësit e tij:
“Ju dua shumë dhe do jemi bashkë shumë shpejt.”
Reagimi i tij vjen menjëherë pas deklaratave të bëra nga fituesja Selina, duke shtuar edhe më shumë interesin e publikut për zhvillimet pas përfundimit të reality show‑t.