
Ish-prokurori dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në gjykatë lidhur me atentatin e ndodhur në vitin 2019 në Durrës, ku mbeti i vrarë Andi Maloku.
Gjatë dëshmisë së tij, Ndoja ka rrëfyer në detaje lëvizjet e asaj dite, duke thënë se gjithçka kishte nisur normalisht. Sipas tij, ai kishte shkuar në punë së bashku me Andi Malokun dhe më pas ishin ndalur për drekë në një lokal në zonën e Durrësit, ku ndodhej edhe Aleksandër Laho.
Pas disa orësh qëndrimi, ata janë nisur me automjet drejt zonës së Urës së Dajlanit. Në timon ndodhej Andi Maloku, pasi Ndoja nuk ndihej mirë, ndërsa Laho ishte ulur në sediljen e pasme.
“Në momentin kur kemi kaluar pranë hyrjes së autostradës, kanë nisur krismat. Në fillim nuk e kuptova që ishin të shtëna me armë zjarri. Nuk ishin breshëri, por të ndara. Dukej sikur ishin dy armë të ndryshme”, është shprehur Ndoja në gjykatë.
Ai ka deklaruar se sulmi ka zgjatur rreth 20 sekonda, gjatë të cilave automjeti ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat duke përfunduar në kanal.
Sipas dëshmisë së tij, Andi Maloku, edhe pse i plagosur rëndë, ka arritur të telefonojë të atin duke i thënë: “Na kanë gjujt”.
Ndoja ka shtuar se Maloku është rrëzuar sapo ka hapur derën e automjetit, pasi plagët në shtyllën kurrizore i kishin shkaktuar gjendje të rëndë. Vetë ish-prokurori ka deklaruar se ka humbur ndjenjat dhe nuk mban mend më asgjë pas përplasjes.
Ai ka theksuar se nuk ka dijeni mbi autorët e atentatit dhe se nuk njeh të pandehurit në proces gjyqësor. Gjithashtu, Ndoja ka pohuar se nuk ka marrë kërcënime dhe nuk është kontaktuar nga askush në lidhje me ngjarjen.
“Nëse do të kisha pasur dyshime, nuk do të dilja në rrugë në atë mënyrë”, është shprehur ai, duke shtuar se pas ngjarjes ka dëgjuar vetëm aludime, por jo prova konkrete për autorësinë.
Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa çështja mbetet ende nën shqyrtim në gjykatë.