
“Babai ka edhe 3 muaj jetë” – Gresa Sekiraqa prek me rrëfimin tronditës në Ferma VIP
Gresa Sekiraqa rrëfen momentet më të vështira të jetës, kur babai u diagnostikua me kancer dhe mjekët i dhanë pak muaj jetë.
Ferma VIP është kthyer jo vetëm në një garë, por edhe në një hapësirë emocionesh dhe rrëfimesh të forta personale. Së fundmi, Gresa Sekiraqa ka prekur publikun me një histori të dhimbshme familjare, duke zbuluar një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.
Këngëtarja tregoi se si babai i saj u diagnostikua me kancer dhe mjekët i dhanë një lajm tronditës, duke i thënë se kishte vetëm disa muaj jetë. Në atë kohë, Gresa ishte vetëm 19 vjeçe dhe u përball me një realitet të ashpër, që kërkonte forcë të jashtëzakonshme emocionale.
“Më thanë që nuk do ketë më shumë se 3 muaj jetë. Unë kam qenë 19 vjeç. Duhet të bëhesha e fortë, por nuk mund të bëhesha. Momentet më të vështira kanë qenë kur babi mendonte se po vdiste dhe sillej keq me mua. Unë dilja jashtë dhe nuk doja që të më shihnin duke qarë,” rrëfeu ajo.
Në një nga momentet më prekëse, ajo tregoi se kishte hyrë në banjo për të prerë flokët e babait dhe më pas edhe të sajat, si një mënyrë për të përballuar dhimbjen dhe frikën e humbjes.
Pavarësisht kësaj periudhe të errët, historia e Gresa Sekiraqa ka një fund të lumtur. Sot, babai i saj gëzon shëndet të plotë, ndërsa për këngëtaren ai mbetet “dhurata më e madhe” në jetën e saj.
Rrëfimi i saj është pritur me shumë emocione nga publiku i Ferma VIP, duke sjellë një tjetër dimension të ndjeshëm dhe njerëzor të personazheve që janë pjesë e këtij formati.