
Këngëtarja e njohur Filloreta Raçi ka bërë një rrëfim të sinqertë dhe emocional që ka trazuar rrjetin. E ftuar në podcastin “Mam” të Orinda Huta, ajo foli hapur për periudhën e shtatzënisë dhe përjetimet e saj si nënë.
Artistja tregoi se momenti kur mësoi gjininë e bebit nuk ishte aspak siç e kishte imagjinuar. Teksa po udhëtonte nga Boston drejt New York, ajo mori mesazhin nga gjinekologia.
“I thashë: të lutem mos më thuaj që është çun… dhe ajo më tha: ‘Zemra, është çun’,” rrëfen Fifi. Reagimi i saj ishte i menjëhershëm: “Kam qarë 40 minuta në aeroport, sepse e doja gocë.”
Ajo shpjegoi se dëshira për një vajzë lidhej edhe me faktin se partneri i saj, Adis Patushi, kishte tashmë një djalë nga një lidhje e mëparshme me Adrola Dushi. “Doja që ai ta përjetonte për herë të parë me mua një vajzë,” u shpreh ajo.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se gjithçka ndryshoi pas lindjes. Sot, ajo është një nënë e përkushtuar për djalin e saj, Theo Mal, dhe e përjeton mëmësinë me shumë dashuri, duke pranuar se emocionet e para ishin thjesht një reagim i sinqertë njerëzor.