
Alarm për bombë në QTU, evakuohen qytetarët dhe punonjësit – policia nis kontrollet
Një alarm për bombë është raportuar mesditën e kësaj të diele në qendrën tregtare QTU në kryeqytet, duke shkaktuar panik dhe reagim të menjëhershëm të autoriteteve.
Menjëherë pas njoftimit, të gjithë punonjësit dhe qytetarët që ndodheshin brenda ambienteve janë evakuuar për arsye sigurie. Forcat e Policisë së Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrollet e imtësishme në të gjithë hapësirën e qendrës tregtare, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë burimin e telefonatës apo sinjalizimit, ndërsa zona është vendosur nën monitorim të rreptë sigurie deri në përfundimin e verifikimeve.
Kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë ndodh në kryeqytet, pasi vetëm një ditë më parë një alarm i ngjashëm u raportua edhe në një tjetër qendër tregtare, duke ngritur shqetësime për përsëritjen e këtyre rasteve.