
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme zonën e Lezhës, ku një atentat me armë zjarri ka lënë të vdekur dy persona, burrë e grua, teksa po udhëtonin me automjetin e tyre.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në fshatin Blladren, ku një automjet tip “Audi” është qëlluar me breshëri armësh nga një tjetër makinë në lëvizje. Si pasojë e të shtënave, të dy personat që ndodheshin në mjet kanë humbur jetën në vend.

Viktimat janë identifikuar si Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij. Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të këtij atentati.
Nga të dhënat paraprake rezulton se viktima Kreshnik Mujeci ka pasur edhe më herët probleme me drejtësinë. Ai është arrestuar në vitin 2017 së bashku me vëllain e tij, nën dyshimet për përfshirje në një vrasje të ndodhur një vit më parë në Shkodër. Sipas policisë së asaj kohe, ata dyshoheshin si autorë të vrasjes së një shtetasi në fshatin Mali i Jushit.
Hetimet për ngjarjen e sotme vijojnë, ndërsa zona është rrethuar nga forcat e rendit për të siguruar provat dhe për të gjurmuar çdo detaj që mund të çojë drejt autorëve të atentatit.