
“Alarm për inflacionin/ Eduart Gjokutaj: Ekonomia shqiptare e ekspozuar ndaj krizave, duhen masa urgjente parandaluese!”
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj ka ngritur shqetësimin për rritjen e inflacionit të importuar në Shqipëri, duke theksuar se ekonomia po ndjen gjithnjë e më shumë efektet e çmimeve që vijnë nga jashtë.
Në një intervistë për A2 CNN, ai u shpreh se ndikimi është veçanërisht i dukshëm në sektorët më të ndjeshëm ndaj furnizimeve ndërkombëtare, ku rritja e kostove po transmetohet në zinxhir në të gjithë ekonominë.
Sipas tij, masat e marra deri tani janë të drejta, por të pamjaftueshme, pasi mungon një qasje e mirëfilltë parandaluese. Gjokutaj thekson se institucionet reagojnë më shumë pasi ndodh problemi, sesa për ta parandaluar atë në kohë.
Ai nënvizon se nuk mjafton vetëm angazhimi i Ministrisë së Financave, por kërkohet një bashkëpunim më i gjerë ndërinstitucional, ku të përfshihen të gjitha ministritë që ndikojnë në treg dhe në politikat ekonomike.
Në përfundim, Eduart Gjokutaj paralajmëron se ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj krizave të jashtme, ndaj nevojiten mekanizma më të fortë monitorimi dhe ndërhyrjeje për të shmangur pasoja më të rënda në të ardhmen.