
Tragjedia që goditi familjen Keçi ka lënë pas një dhimbje të thellë jo vetëm tek të afërmit, por edhe në komunitetin akademik dhe mjekësor. Studentja e Fakultetit të Mjekësisë, Bora Keçi, humbi jetën në mënyrë tragjike së bashku me të atin, si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik të ndodhur pasditen e 25 prillit.
Lajmi i rëndë është përjetuar me tronditje nga pedagogë, studentë dhe të gjithë ata që e njihnin Borën, e cila njihej si një studente e përkushtuar dhe me rezultate të shkëlqyera. Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati reagoi publikisht përmes një mesazhi prekës, duke shprehur ngushëllimet për familjen Keçi dhe duke e cilësuar këtë humbje si një plagë të madhe për të gjithë shoqërinë.
Në fjalët e tij, ai theksoi se ndërprerja e jetës së një të reje plot ëndrra dhe ambicie, së bashku me humbjen e të atit – gjithashtu mjek – përbën një tragjedi të dyfishtë që prek thellë jo vetëm familjen, por edhe sistemin shëndetësor.
Sinamati ndau gjithashtu një kujtim të veçantë nga jeta akademike e Borës, duke publikuar provimin e saj në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku ajo ishte vlerësuar me rezultate maksimale. Sipas tij, ky moment mbetet një dëshmi e qartë e seriozitetit, përkushtimit dhe formimit të saj si një mjeke e ardhshme me vlera të larta profesionale dhe njerëzore.
Një detaj që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se nëna e Borës, Kozeta Keçi, është gjithashtu mjeke, e cila përballet me humbjen e njëkohshme të bashkëshortit dhe vajzës së saj.
Mes dhimbjes së madhe, mesazhet e ngushëllimit kanë vërshuar nga të gjitha anët, duke e kujtuar Borën si një vajzë shembullore, me ëndrra të mëdha dhe një të ardhme të ndritur përpara. Humbja e saj dhe e të atit mbetet një plagë e hapur që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që patën fatin t’i njohin.
U prehshin në paqe.
Postimi i plotë:
Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve
.Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm. Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës — Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!
