
Një aksident rrugor është regjistruar në Klos, pranë rrethrrotullimit të Rruga e Arbrit, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin mbrojtës të një banese.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti po lëvizte në drejtim të Klosit, por për shkak të lagështisë në asfalt, drejtuesi ka humbur kontrollin. Automjeti ka rrëshqitur dhe ka përfunduar vetëm pak metra larg oborrit të banesës së familjes Doka.
Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa drejtuesi i mjetit ka mbetur i lënduar dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të tjerë të përfshirë.
Banorët e zonës shprehen se ky segment i Rruga e Arbrit është i rrezikshëm dhe shpeshherë bëhet burim aksidentesh, veçanërisht në kushte të pafavorshme atmosferike. Sipas tyre, automjetet kanë rrezikuar disa herë të përfundojnë në oborret e banesave përreth.
Familja e Klodian Dokës ka ngritur shqetësimin për mungesën e sigurisë rrugore, duke theksuar se muri mbrojtës është ndërtuar nga vetë ata me gurë, pasi barrierat metalike të vendosura më parë janë dëmtuar nga aksidentet e përsëritura në këtë zonë.