
Kryeministri Edi Rama ka tërhequr vëmendjen me një postim të fundit nga samiti i 8‑të i Komuniteti Politik Europian, ku ka ndarë një foto “familjare” me liderët botërorë.
Takimi, i zhvilluar në Yerevan, ka mbledhur dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish për të diskutuar mbi çështje kyçe të sigurisë, bashkëpunimit dhe të ardhmes së Europës. Mes tyre, Rama është shfaqur sërish në një moment miqësor me kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke vijuar “traditën” e përqafimeve të ngrohta që shpesh bëhen virale në rrjet.
Ky gjest simbolik mes dy liderëve ka tërhequr vëmendjen edhe këtë herë, duke reflektuar marrëdhëniet e afërta mes Shqipërisë dhe Italisë, por edhe stilin më informal të komunikimit diplomatik që Rama shpesh shfaq në skenën ndërkombëtare.
Para hyrjes në samit, Rama theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke e cilësuar si një mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta të vendeve europiane. Ai nënvizoi gjithashtu se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi në kuadër të NATO, duke forcuar rolin e saj në sigurinë kolektive.
Në Yerevan, Rama mbërriti njëkohësisht me sekretarin e përgjithshëm të NATO‑s, Mark Rutte, si dhe me homologen italiane Meloni, duke konfirmuar rëndësinë e këtij samiti në agjendën ndërkombëtare.
Samiti i Komunitetit Politik Europian vijon të shërbejë si një platformë e rëndësishme për dialog dhe koordinim mes vendeve të kontinentit, në një kohë sfidash të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike