
Ish-Presidenti Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.
Pavarësisht ofertës për të vendosur një garanci pasurore prej 50 milionë lekësh, Meta nuk ka arritur të bindë gjykatën për t’u liruar nga qelia dhe për të kaluar në “arrest në shtëpi”. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ai kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë, por pa sukses.
Përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani, Meta ka deklaruar se është i gatshëm të japë garanci dhe se nuk ekziston rrezik për arratisje. Megjithatë, trupa gjykuese ka vlerësuar se kushtet për ndryshimin e masës nuk janë përmbushur.
Më herët, në mars 2026, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj Metës dhe disa personave të tjerë, përfshirë ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.
Ish-kreu i shtetit ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024 dhe po përballet me disa akuza të rënda që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetime mbi pasurinë. SPAK ka përfunduar hetimet dhe dosja tashmë ndodhet në proces gjyqësor.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa vendimi i fundit i Apelit konfirmon vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të gjykimit.