
Rritja e çmimeve të karburantit ka detyruar disa linja ajrore në mbarë botën të shkurtojnë fluturimet, duke krijuar shqetësim për pasagjerët dhe industrinë e aviacionit. Megjithatë, situata në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka reaguar zyrtarisht, duke siguruar se operimet vijojnë normalisht dhe nuk ka asnjë ndërprerje apo reduktim të fluturimeve. Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, TIA bën me dije se të gjitha linjat ajrore që operojnë nga Tirana po funksionojnë sipas planifikimit.
Sipas aeroportit, furnizimi me karburant është i garantuar dhe nuk paraqet asnjë problem, çka siguron vazhdimësi të plotë dhe të sigurt të shërbimit për të gjithë pasagjerët. Autoritetet aeroportuale theksojnë se situata është plotësisht nën kontroll, pavarësisht zhvillimeve në tregun ndërkombëtar.
Në reagimin e plotë, Aeroporti i Tiranës nënvizon se prioritet kryesor mbetet siguria dhe ofrimi i një eksperience të besueshme udhëtimi për çdo pasagjer, duke garantuar stabilitet dhe normalitet në operime.
