
Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit të Iran kundër Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i cilësuar ato si akte terroriste që rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Në një reagim publik në rrjetin social X, Rama theksoi se Shqipëria i dënon “me fjalët më të ashpra të mundshme” këto sulme, të cilat sipas tij përbëjnë një agresion të pajustifikueshëm ndaj një shteti sovran dhe ndaj vetë paqes në rajon. Ai akuzoi regjimin iranian për eksportim të dhunës, pasigurisë dhe destabilitetit përtej kufijve të tij.
Kryeministri nënvizoi se sulmet ndaj Emirateve nuk janë vetëm një akt kundër një vendi të vetëm, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen në Gjirin Persik dhe në nivel global. Ai shprehu solidaritetin e plotë të Shqipërisë me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke vlerësuar rolin e tyre si një shtet që promovon stabilitetin, progresin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në deklaratën e tij, Rama paralajmëroi se veprime të tilla vetëm sa thellojnë izolimin e autorëve dhe forcojnë vendosmërinë e vendeve që mbështesin sovranitetin dhe sigurinë globale. Në përmbyllje, ai përdori një gjuhë edhe më të fortë ndaj regjimit iranian, duke e krahasuar me “instinkte të Epokës së Gurit” që, sipas tij, e çojnë vendin drejt izolimit dhe vetëshkatërrimit.
Reagimi i kreut të qeverisë shqiptare erdhi pas raportimeve për sulme me raketa dhe dronë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat u cilësuan nga autoritetet vendase si një përshkallëzim i rrezikshëm dhe shkelje e papranueshme e sigurisë rajonale.