
Ministri francez vlerëson Shqipërinë: Reforma në drejtësi po ecën me hapa konkretë
Nga ambientet e Shkollës së Magjistraturës, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një konferencë të përbashkët me homologun francez, Gerald Darmanin, ku u theksua progresi i Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gogu deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në ndarjen e drejtësisë nga politika, forcimin e pavarësisë së institucioneve dhe afrimin me standardet europiane.
“Kemi folur për fuqizimin e marrëdhënieve në fushën e drejtësisë, modernizimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin për magjistraturën.
Ndihma e qeverisë franceze dhe partnerëve të tjerë po kontribuon në rritjen e profesionalizmit në sistemin tonë të drejtësisë”, u shpreh ai.
Ministri francez Gerald Darmanin e cilësoi takimin frytdhënës dhe vlerësoi progresin konkret të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Sipas tij, reforma në drejtësi mbetet një element kyç për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Dy ministrat theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, duke e konsideruar atë një sfidë të përbashkët europiane.