
“Më quajti komunist”, Ivi Kaso i përgjigjet ashpër Salianjit: Është i frustruar dhe jashtë PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ervin Salianjit, i cili e akuzoi për rezultatin e dobët të PD-së në Korçë dhe e etiketoi si “komunist” për shkak të origjinës familjare.
Në një intervistë për “Përballë Lajmit” në Klan News, Kaso tha se nuk dëshiron t’u japë rëndësi “frustrimeve” të dikujt që, sipas tij, tashmë ndodhet zyrtarisht jashtë strukturave të Partisë Demokratike pas vendimit të Kryesisë.
“Frustrimeve të dikujt që e ka me gjithë botën dhe kërkon të bëhet lajm me çdo kusht nuk do t’i përgjigjem”, u shpreh Kaso.
Ai reagoi edhe ndaj sulmeve për paraardhësit e tij, duke theksuar se gërmimi në biografitë familjare është “gjëja më komuniste” që mund të bëhet në politikë.
“Kjo çështja e rrëmimit në biografitë e të tjerëve është akti më komunist që mund të reklamohet”, deklaroi deputeti demokrat.
Debati mes dy figurave të PD-së vjen në një moment tensionesh të forta brenda opozitës pas zhvillimeve të fundit politike dhe qëndrimeve ndaj zgjedhjeve të 11 majit.