
Pas aludimeve të shumta që qarkulluan në rrjetet sociale se modelja Fabiola Elezaj është kushërira e regjisorit Eduart Grishaj, ky i fundit ka reaguar publikisht duke sqaruar raportin mes tyre dhe duke hedhur poshtë çdo pretendim.
Përmes një postimi në Instagram, Grishaj u shpreh qartë se Fabiola nuk është e afërmja e tij, ndërsa theksoi se përzgjedhja e saj për t’u bërë pjesë e Ferma VIP 3 ishte bërë vetëm për shkak të energjisë dhe profilit që ajo sillte në spektakël.
“Asnjë kushërirë e imja nuk ka qenë, nuk është dhe as nuk do të jetë pjesë e një reality show ku unë jam i përfshirë si pjesë e produksionit”, shkroi regjisori në reagimin e tij.
Deklarata e Grishajt vjen pas episodit të bujshëm gjatë prime-it live të Ferma VIP 3, ku Fabiola iu drejtua moderatores Arbana Osmani me një fjalë fyese, moment që bëri menjëherë xhiron e rrjetit dhe solli reagime të shumta.
Lidhur me këtë incident, Grishaj e cilësoi reagimin e Fabiolës si një veprim të nxituar, duke shtuar se gabime të tilla ndodhin dhe nuk kanë lidhje me ndonjë favorizim apo skenar të parapërgatitur.
Me këtë reagim, Eduart Grishaj ka tentuar të mbyllë debatet dhe spekulimet që qarkulluan online, duke mohuar çdo lidhje familjare me Fabiola Elezajn dhe çdo pretendim se situata ishte e inskenuar.