
“Nuk na lanë as ta shihnim në arkivol”/ Dëshmia tronditëse e motrës së Martin Çeços: Policia po fsheh të vërtetën
Detaje rrëqethëse janë zbuluar nga motra e Martin Çeço, e cila kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi Maliqin në vitin 2022.
Në emisionin “Review”, motra e tij, Klarida Çeço, ka rrëfyer momentet e fundit me vëllain, duke deklaruar se ai ishte i shqetësuar pak para zhdukjes dhe se familja nuk u lejua as ta shihte trupin në arkivol.
Sipas saj, telefoni i fundit me Martinin ndodhi një ditë para se ai të zhdukej, ndërsa ai i kishte premtuar se do të shkonte në Tiranë për ta takuar.
“E pashë të skuqur dhe gati duke qarë. Më tha se nuk vinte dot. Ajo ishte hera e fundit që e pashë vëllain”, rrëfen ajo.
Dy ditë më vonë, trupi i Martin Çeço u gjet në një rezervuar në Kolavec të Maliqit. Motra e tij pretendon se policia nuk lejoi familjarët ta shihnin trupin dhe se arkivoli nuk u hap as gjatë ceremonisë mortore.
“Kjo ka mbetur një mister për mua. Nuk na lanë as ta shihnim”, shprehet ajo mes emocionesh.
Klarida Çeço akuzon institucionet për mungesë transparence dhe pretendon se shumë persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen nuk janë marrë ende në pyetje.
Ajo kërkon që çështja të rihapet plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë.
“Do ta ndjek këtë histori deri në fund. E vërteta duhet të dalë në dritë”, deklaron motra e viktimës.