
Një seri atentatesh të përgjakshme që kanë tronditur Lezhën dhe Shëngjinin vijojnë të mbeten në qendër të hetimeve, ndërsa familjarët e viktimave thonë se jetojnë çdo ditë nën frikë dhe pasiguri.
Familja e Ardit Hoxha pretendon se prej më shumë se një viti ka kërkuar drejtësi për vrasjen e 32-vjeçarit, por autorët ende nuk janë identifikuar. Sipas tyre, janë bërë dhjetëra kërkesa drejt institucioneve, ndërsa kontrollet në banesat e personave të dyshuar nuk kanë sjellë prova konkrete.
“Tashmë jetojmë me frikë. Fëmijët nuk dalin më vetëm dhe çdo telefonatë na tremb”, rrëfen babai i viktimës, duke shtuar se familja e tij nuk ka pasur lidhje me botën e krimit.
Por ngjarjet nuk u ndalën me kaq. Më 14 janar, një tjetër atentat mafioz tronditi qytetin, ku objektiv u bë Erjon Dema. 34-vjeçari u ekzekutua pranë automjetit të tij, pasi autorët dyshohet se i kishin ndjekur lëvizjet për disa orë dhe përdorën makina me targa të vjedhura për t’u larguar nga vendngjarja.
Ndërkohë, një nga episodet më të rënda të kësaj sage hakmarrjeje mbetet ekzekutimi i Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të biznesmenit të vrarë Ardian Nikulaj.
40-vjeçari u qëllua mbrëmjen e 2 dhjetorit 2023 në hyrje të Lezhës, pranë zonës së njohur si “Ura e Trenit”, ndërsa drejtonte automjetin e tij tip fuoristradë. Ai mbeti fillimisht i plagosur rëndë, por humbi jetën gjatë transportit për në spital.
Sipas Policisë së Lezhë, autorët u larguan me një automjet BMW me targa të vjedhura, të raportuara disa ditë më parë në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Në dosjen hetimore është përmendur edhe emri i Ruben Saraiva, një shtetas portugez me precedentë penalë në Britaninë e Madhe dhe Portugali, i cili dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin në prill të vitit 2023.
Hetimet kanë ngritur dyshime se pas atentateve fshihet një zinxhir hakmarrjesh mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, një konflikt që prej vitesh ka prodhuar viktima dhe tensione të forta në veri të vendit.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur atentatet dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë pas ekzekutimeve mafioze që kanë tronditur zonën.