
Shqipëria nën standardet e BE-së për gjyqtarë, sistemi funksionon me 73% të kapacitetit
Sistemi gjyqësor në Shqipëri vijon të mbetet nën standardet e Bashkimi Europian për numrin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës për banor, sipas të dhënave të publikuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Referuar raportit të fundit dhe statistikave të Komisioni Evropian për Efiçencën në Drejtësi, mesatarja europiane është 21.9 gjyqtarë për çdo 100 mijë banorë, ndërsa Shqipëria rezulton dukshëm më poshtë në të gjitha nivelet e matjes.
Sipas strukturës organizative, vendi ka 17.35 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa sipas organikës faktike ky raport bie në 14.32. Në organikën efektive, treguesi zbret edhe më tej në vetëm 12.73 gjyqtarë për 100 mijë banorë.
Raporti evidenton gjithashtu mungesa edhe në stafin administrativ që mbështet gjyqtarët. Mesatarja europiane është 4.12 punonjës administrativë për çdo gjyqtar, ndërsa në Shqipëri ky tregues luhatet nga 3.13 deri në 3.9 punonjës për gjyqtar, në varësi të organikës së përdorur për matje.
Në vitin 2025, sistemi gjyqësor shqiptar ka funksionuar me vetëm 306 gjyqtarë aktivë në të gjitha nivelet, duke operuar me rreth 73.38% të kapacitetit të tij fillestar.
Sipas të dhënave të KLGJ-së, hendeku me standardet europiane mbetet i qëndrueshëm prej vitesh, ndërsa rritja e çështjeve në gjykata po shton presionin mbi sistemin ekzistues dhe po e bën edhe më sfiduese zbatimin e reformës në drejtësi.