
Vihet në funksion Akseleratori i tretë Linear në Onkologjik, Sala: Së shpejti brankiterapia dhe akseleratori i katërt
Është vënë në funksion të plotë Akseleratori i tretë Linear në shërbimin Onkologjik në QSUNT, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e trajtimit për pacientët me sëmundje tumorale. Pacienti i parë është trajtuar me sukses, ndërsa investimi synon përmirësimin e cilësisë së radioterapisë përmes teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Onkologjik, deklaroi se puna po vijon edhe për sjelljen e brankiterapisë dhe Akseleratorit të katërt Linear.
Sipas ministres, programi për modernizimin e shërbimit onkologjik po avancon me ritme të mira, duke përfshirë përditësimin e dy akseleratorëve ekzistues, shtimin e pajisjeve të reja dhe rritjen e kapaciteteve trajtuese në vend.
Sala vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike për mbështetjen me pajisje moderne dhe trajnimet profesionale të stafit mjekësor dhe fizikantëve.
Aktualisht, në Njësinë e Radioterapisë trajtohen rreth 140 pacientë në ditë me dy akseleratorët ekzistues, ndërsa me vendosjen në punë të akseleratorit të tretë kapaciteti arrin në afro 200 pacientë çdo ditë.